Shqipëria po përparon në mënyrë të qëndrueshme në procesin e integrimit europian, është e angazhuar seriozisht për negociatat dhe reforma në drejtësi, goditjet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar janë domethënëse.
Ky është vlerësimi i Komisionit Europian në raportin e progresit për për këtë vit. Raporti thotë se pas Konferencës së parë Ndërqeveritare që hapi negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë në korrik 2022, qeveria ka rinovuar angazhimin e saj të përgjithshëm politik në rrugën e vendit në BE.
Nën koordinimin e kryenegociatorit dhe strukturave të sapo reformuara të negociatave të BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit, i cili po ecën pa probleme dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshëm në negociatat e anëtarësimit.
Komisioni verën se zbatimi i reformës në drejtësi vazhdoi, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi. Emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar me të nëntë gjyqtarët, nga të cilët tetë me mandat të plotë nëntëvjeçar. Struktura e Specializuar kundër Korrupsioni dhe Krimi i Organizuar arriti rezultate të mëtejshme dhe drejtuesi i ri i prokurorisë së posacme u zgjodh pas një procesi të shëndoshë.
Megjithatë, raporti vëren se zvarritja e proceseve gjyqësore, edhe për shkak të mungesës së burimeve njerëzore ndikoi në performancën e sistemit të drejtësisë. Raporti qorton klimën e acaruar politike dhe bën thirrje që të gjitha palët të punojnë për rikthimin e normalitetit në Kuvend.