LajmeRajon

Dënimi i parë për dhunim seksual, Supremja refuzon kërkesat e mbrojtjes së të dënuarit

Moment triumfues për drejtësinë kosovare po konsiderohet epilogu i procesit gjyqësor kundër Zoran Vukotiq. Përballë tij, një viktimë e dhunës seksuale arriti të dëshmojë para trupit gjykues për tmerrin që përjetoi. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për dhunim seksual në Kosovë nga gjykatat vendore. Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe ka vërtetuar aktgjykimin për dënim prej 13 vitesh për kriminelin serb.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti thotë për KosovaPress, se për asnjë të mbijetuar nuk është e lehtë që të përballet me procese gjyqësore.

“Ky është një moment triumfues për drejtësinë kosovare, por mbi të gjitha për familjarët dhe të mbijetuarit të dhunës seksuale. Dhe ne shpresojmë shumë që rasti në fjalë të ju shërbejë edhe grave dhe burrave të tjerë të cilët e kanë përjetuar këtë krim që të mos ngurojnë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë në mënyrë që të vihet drejtësia në vend…E mbijetuara në fjalë e cila tanimë ndjehet e lirë realisht ky proces ka dëshmuar që përtej që e ka vu drejtësinë në vend, dhunuesi ka mbetur prapa grilave, ndërsa kjo e ka mundësinë që të përjetojë lirinë ashtu siç e ka merituar. Për faktin që shumë nga këto gra dhe burra thonë që ata janë afër, sillen diku ndihen të pasigurt”, deklaron ajo.

Gjashtë viktima kanë dëshmuar para trupit gjykues për tmerrin e përjetuar para më shumë se dy dekadave. Për këto raste, Rushiti tregon se tashmë janë ngritur aktakuzat për gjykim në mungesë.

“E kemi quajtur vit kthese për shkak se ka qenë rasti i parë edhe kjo ka vu dëshminë para krejt shoqërisë kosovare që rastet mund të gjykohen në Kosovë dhe mund të dëshmojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale, mirëpo po vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë. Tanimë më aktualisht i kemi pesë gra dhe një burrë të cilët kanë dëshmuar dhe ju ka ngritur aktakuza. Një prej tyre prapë është i ndërlidhur me rastin e Zoran Vukotiq, ndërsa pesë të tjerë janë dëshmitarë në mungesë nuk e kanë të akuzuarin, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit. Besojmë fuqimisht që edhe raste të tilla kanë me arrit të kenë drejtësi pas këtij procesi që nuk është i lehtë për to”, shton drejtoresha e QKRMT-së.

Pranë gjykatave të Kosovës janë përfunduar katër procese gjyqësore, ku prej tyre i vetmi është dënuar Zoran Vukotiq. Kështu shprehet Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili tregon për procedurat e këtij rasti.

“Fillimisht është dënuar nga shkalla e parë dhjetë vjet dhe në shkurt të vitit 2023 është dënuar me vendim të plotfuqishëm me 13 vjet nga shkalla e dytë. Tanimë ky vendim i fundit i cili ka dalë nga Supremja është vendim që ka të bëjë me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të cilën e ka parashtruar mbrojtësi i të dënuarit dhe së fundmi edhe Supremja e ka nxjerrë një vendim me të cilën e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes dhe Supremja ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të paraqitura në ankesën apo kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të propozuar nga avokati i të pandehurit”, shprehet Alija.

Veç kësaj, Alija shprehet se më 17 nëntor fillon gjykimi tjetër kundër Vukotiq për dhunim seksual. Kurse, më 20 nëntor, fillon gjykimi i parë në mungesë kundër, Cedomir Aksiq.

“Do të shohim se si do të rrjedhin procedurat me gjykimet në mungesë. Edhe pse këto procese mund të jenë mjaft sfiduese pasi që e dimë që të pandehurit nuk do të paraqiten në gjykatë dhe me rastin e arrestimit të tyre, ata kanë të drejtë automatike që të fillojnë gjykimin prej fillimit”, përfundon ai.

Show More

Related Articles

Back to top button