Sot, me fillim nga ora 11:00 në ndërtesën e Qeverisë në Shkup, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp në të cilën do të prezantohet Raporti i vendit për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut nga ambasadori Geer dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Mariçiq. Në periudhën e ardhshme, pakoja do të prezantohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, si dhe para organizatave të shoqërisë civile, transmeton Portalb.mk.
Komisioni Evropian dje e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballakanit Perëndimor. Situta me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.
Nuk u bë asnjë përparim në kuftën kundër korrupsionit
Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese. Vonesat dhe anulimet në gjykimet e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë u rritën, duke rezultuar në skadimin e afatit të parashkrimit në disa raste. Kodi Penal u ndryshua me procedurë të përshpejtuar parlamentare. Dënimet maksimale ligjore për vepra penale specifike të lidhura me korrupsionin u reduktuan, duke pasur implikime në zbatimin e vjetrimit dhe duke ndikuar, ndalur apo edhe përfundimin e një numri të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë nga ish-Prokuroria Publike Speciale ( PSP). Ndryshimet gjithashtu pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. Kjo është një çështje shqetësuese serioze.
Nuk ka pasur përparim në gjyqësor
Nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik.
“Progresi në zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe shërbimet e prokurorisë ishte i kufizuar. Mungesa e masave për të adresuar ndikimin e pensioneve të planifikuara ndikoi në efikasitet. Shumica e gradimeve për gjykatat më të larta u përballën me vonesa të mëtejshme. Vazhdoi puna për përmirësimin e sistemit të automatizuar informativ të menaxhimit të çështjeve gjyqësore për shpërndarjen e lëndëve nëpër gjykata. Një sistem i ngjashëm është futur edhe në Prokurorinë Publike”, thuhet në raport.
Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet.
Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.