Me kritika të shumta, euroambasadori në Shkup David Geer, prezantoi raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në konferencë të përbashkët me zv.kryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Geer tha se raporti është i sinqertë i drejtë dhe vjen në kontekst kur ka dinamikë të rëndësishme sa i përket zgjerimit.
“Shprehet shqetësim për polarizimin politik, veçanërisht në votimin e reformave. Procesi i zgjerimit të BE-së kërkon konsensus mbi reformat kryesore. Raporti vëren përdorimin e tepruar, ndonjëherë të panevojshëm, të flamurit të BE-së. Ka abuzim me flamurin për Kodin Penal dhe ligjet për korridoret 8 dhe 10-D. Asnjë përparim nuk është shënuar në sundimin e ligjit. Ka mungesë besimi tek gjyqtarët, si dhe shkarkimi i ish-kryetarit të këshillit gjyqësor. Bëjmë thirrje që rekomandimet të miratohen dhe ju kujtojmë rekomandimet e viteve të kaluara që nuk janë zbatuar”, tha Geer.
Ambasadori evropian theksoi gjithashtu se nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, por edhe rritje të korrupsionit në nivel të lartë.
“Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë progres. Po shohim që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë janë në rritje. Kjo rezulton me vjetërsimin e lëndëve, gjë që shkakton shqetësim të madh. Raporti vlerësoi punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Entit Shtetëror për Revizion, por bëri thirrje që rekomandimet të ndiqen nga të dyja. Ka progres të kufizuar në administratën shtetërore. Kushtet në burgje janë ende të këqija, sidomos në Idrizovë. Raporti kërkon që të bëhen përpjekje të veçanta në promovimin e mosdiskriminimit. Raporti gjithashtu shpreh shqetësime serioze në lidhje me fushatat kundër gjinisë”, theksoi Geer.
Ai i përmendi edhe ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht se marrëdhëniet me Bullgarinë janë në duar të Maqedonisë së Veriut.
“Të gjithë e kemi kuptuar se zgjerimi është në interesin tonë të përbashkët. Duam që Maqedonia e Veriut ta shfrytëzojë këtë dinamikë. Raporti vjen me mundësi. Duam që Maqedonia ta shfrytëzojë këtë mundësi. Raporti është 120 faqe dhe është gjithëpërfshirës”, tha Geer.