Tetovë, 13 Korrik – Mbeturinat e ngurta dhe deponitë ilegale vazhdojnë të mbeten problem për të gjithë shtetin e në veçanti për rajonin e Pollogut. Edhe pse së fundmi masat e shpejta të parashikuara në kuadër të rehabilitimit të deponisë rajonale “Rusino” janë zbatuar, situata me menaxhimin e deponive ilegale në këtë rajon vazhdon të jetë problem edhe përkundër se institucionet thonë se po punohet në këtë drejtim me mbështetje nga aktorët ndërkombëtar.
Situata në komunat e Pollogut me deponitë ilegale është e tmerrshme dhe një katastrofë ekologjike, deponi të tilla gjenden gjithandej si nëpër qytete po ashtu edhe në fshatra. Autoritetet qendrore dhe lokale nuk po bëjnë mjaftueshëm për të përmirësuar këtë gjendje.
Në këtë drejtim, përveç kredisë nga BERZH-i, Qeveria e Zvicrës ka ndarë fonde të cilat do të përdoren për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të mbetjeve në rajonin e Pollogut.
Këto fonde sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) do të përdoren për:
Shërbime konsulence: Asistencë teknike dhe fuqizim institucional i ndërmarrjeve publike dhe komunave përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve të ngurta (si në nivel lokal ashtu edhe në atë rajonal) me qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe efikasitetit të ofrimit të shërbimeve, rritjen e mbledhjes së tarifave dhe zbatimin e ligjeve mjedisore në fuqi.
Rritje të ndërgjegjësimit të publikut për të inkurajuar angazhimin e shoqërisë civile dhe prodhuesve të tjerë të mbetjeve për menaxhimin e duhur të mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Mbyllja e deponive ilegale në rajon.
Financimi i një impianti kompostimi
Prokurimi i pajisjeve të grumbullimit dhe depozitimit të mbetjeve.
Ndërsa sa i përket kredisë prej 17 milion euro nga BERZH nga MMJPH bëjnë të ditur se thirrja për konsulentë është duke u zhvilluar dhe do të jetë e hapur deri me 8 gusht të këtij viti.
“Me kredinë e BERZH-it për rajonin e Pollogut janë planifikuar të realizohen këto aktivitete: Rehabilitimi i sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave në Pollog dhe ndërtimi i stacionit të transferimit dhe pajisjeve të transportit në Tetovë dhe përfshirja e qendrave grumbulluese në të gjitha komunat; Prokurimi i pajisjeve të grumbullimit dhe transportit të mbetjeve (kosha, kontejnerë dhe kamionë)”, thanë nga MMJPH.
Nga ana tjetër për kur jemi te stacioni i transferimit në Tetovë, kryetari i Komunës së Tetovës, njëherit edhe kryetar i Komunave të Rajonit të Pollogut – Bilall Kasami thotë se aktivitetet në këtë drejtim po realizohen në bashkëpunim me MMJPH.
“Është një projekt që po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit. Tashmë është në procedurë parlamentare një kredi që duhet të merret nga shteti për menaxhimin e mbetjeve në të gjithë territorin, përfshirë edhe Rusinon, një projekt ky që po zbatohet në bashkëpunim me agjencinë zvicerane, ndaj ka aktivitete më që bëhen për tu zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin me mbeturinat në rajonin e Pollogut. Stacioni i transferimit është pjesë e atij projekti, tani siç funksionon ashtu siç funksionon, por për tu bërë si projekt i tërë në kuadër të rehabilitimit të Rusinos është pjesë e këtij projekti që sapo e thash”, tha Kasami.
Ndërkaq, në mbledhjen e fundit që patën kryetarët e Komunave të Rajonit të Pollogut, Kasami tha se u bisedua për një linjë kreditore të cilën duhet ta merr shteti në ndihmë të të gjitha rajoneve zhvillimore dhe komunave për menaxhim me mbeturinat.
Ligji i huamarrjes, i cili i referohet kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për vendosjen e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave në vend, është aktualisht në Kuvendin e RMV-së, në pritje të votimit nga deputetët.
Ministri i Mjedisit, Naser Nuredini thotë se në kuadër të projektit për vendosjen e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave, krahas ndërtimit të stacioneve të transferimit dhe vetë deponive rajonale, komunat do të pajisen me pajisje teknike shtesë, si mekanizimi për grumbullimin e mbeturinave dhe kontejnerëve për përzgjedhje në të njëjtën.
“Me aktivitetet e planifikuara, deponitë rajonale do të plotësojnë të gjitha standardet evropiane dhe do të mundësojnë rehabilitimin e të gjitha deponive të egra në rajonin e Pollogut, që do t’u mundësojë qytetarëve të kenë ajër të pastër, të mbrojnë natyrën dhe diversitetin biologjik dhe të sigurojnë ujë të pijshëm të pastër”, deklaroi Nuredini pas mbledhjes së fundit me kryetarët e Komunave të Rajonit të Pollogut.
Ndryshe, Qeveria Zvicerane (SECO) miratoi projekt propozimin për rehabilitimin e deponisë “Rusino”. Ndërmarrja Rusino Pollog e vuri në funksion deponinë Rusino më datë 26 janar të këtij viti kur edhe me vendim të Drejtorisë për mjedis jetësor nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, NPP Rusino/Pollog e fitojë të drejtën të menaxhojë me Deponinë Rusino.
Ndryshe, menaxhimi me mbeturina vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur për të gjitha Komunat e Pollogut dhe jo vetëm. Në Maqedoninë e Veriut, për 17 vjet nuk mund të ndërtohet asnjë deponi rajonale sipas standardeve të BE -së, në të cilën përqindja më e madhe e mbeturinave të krijuara do të përzgjidhej dhe riciklohej, kompostohej ose digjej. Sot në Maqedoninë e Veriut, ka dhjetëra deponi ku mjedisi jetësor vazhdimisht ndotet, pa asnjë kontroll se kush hedh çfarë në këto vende, si dhe ku përfundon shkarkimi i mbeturinave që dekompozohen në natyrë.