
Të dielën, një stuhi e fortë përfshiu Bukureshtin dhe 20 qarqe të tjera të Rumanisë, duke lënë pas një person të vdekur si edhe dëme të mëdha në banesa, automjete dhe infrastrukturë.
Sipas autoriteteve rumune të emergjencës, vetëm nga kryeqyteti janë raportuar afro 2,000 thirrje për ndihmë. Shirat intensivë dhe erërat e fuqishme sollën përmbytje në disa pjesë të Bukureshtit, mes tyre edhe në disa stacione të metrosë.
Në pjesën tjetër të vendit, stuhia goditi rreth 60 qytete dhe fshatra. Një person humbi jetën pasi një pemë ra mbi automjetin që ai drejtonte.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndërhynë në disa qarqe për menaxhimin e situatës, ndërsa dhjetëra banorë u nxorën nga banesat e përmbytura.
Kjo stuhi mbërriti pas një vale të fortë të nxehti që kishte përfshirë vendin gjatë dy ditëve të mëparshme. Në disa zona të Rumanisë, temperaturat kishin kaluar 40 gradë Celsius, përpara se kushtet atmosferike të ndryshonin papritur.



