
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Haxhiu tha tutje se data dhe ora e saktë do të publikohen javën e ardhshme.
“… Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë…”, deklaroi Haxhiu.
Ajo po ashtu ka folur për numrat në Kuvend, zgjedhjen e presidentit dhe çështje tjera.
“Duke pasur parasysh që në momentin kur Kuvendi i Republikës së Kosovës konstituohet, e duke i pasur parasysh numrat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai do të konstituohet, pra nuk do ta kemi problemin e fillimit të vitit apo të prillit të vitit të kaluar, pra duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Haxhiu tha se zgjedhjet eventuale nuk do të ishin të mira as për qytetarët e Republikës së Kosovës e as për subjektet politike apo individë përbrenda subjekteve politike.
Andaj tha se i përkrahë bisedimet e iniciuara nga partia fituese e zgjedhjeve.
“Prandaj, si ushtruese e detyrës së presidentes, unë i kam mirëpritur takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotërit Albin Kurti. E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pas takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje”, tha ajo.



