
Sekretari organizativ i BDI-së Nebi Rexhepi akuzoi Qeverinë aktuale se për dy vjet ka bllokuar dhe sabotuar projektet më strategjike infrastrukturore të vendit, Korridorin 8 dhe Autostradën Shkup-Bllacë, projekte që sipas tij janë siguruar, financuar dhe nisur gjatë kohës kur BDI-ja ishte në pushtet.
Për Autostradën Shkup-Bllacë tha se Qeveria humbi dy vjet duke u përpjekur ta ndalë, por në fund u detyrua ta vazhdojë, siç tha projektin e BDI-së.
“Në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim, i drejtojmë Qeverisë disa pyetje publike: – Pse ende nuk janë lëshuar në përdorim dy kilometrat e përfunduar të Autostradës Shkup – Bllacë? – Kush mban përgjegjësi për dy vitet e humbura? – Pse u shpenzuan para publike për analiza dhe ekspertiza që kishin vetëm një qëllim: ta vononin projektin? – Dhe mbi të gjitha, pse zvarriten pikërisht projektet që lidhin vendin tonë me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, projekte të nisura dhe të siguruara gjatë kohës kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e Qeverisë?”, tha Nebi Rexhepi – sekretari organizativ i BDI-së .
Në lidhje me këtë temë bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti në Click Plus tha se rreth 3 miliardë euro investime janë fokusuar në vendbanimet shqiptare dhe se më 6 korrik pritet të nënshkruhet kontrata për autostradën Shkup-Bllacë
“Mund të them se diku 3 miliardë euro investime janë fokusuar në vendbanimet shqiptare, duke filluar nga Korridori 8, që me intensitet të lartë po realizohet. Këto ditë po presim të nënshkruhet kontrata ose më saktë më 6 korrik do të nënshkruhet kontrata për rrugën Shkup-Bllacë që është mbi 200 mln euro dhe njëra e lidh me Shqipërinë tjetra me Kosovën”, u shpreh Izet Mexhiti, bashëkryetar i VLEN-it.
Ndryshe dy kilometrat e ndërtuara nga pika kufitare drejt Shkupit nuk janë lëshuar në përdorim për shkak se, siç është thënë, asfaltimi përfundon në kodrinë të lartë me pamundësi për tu lidhur me rrugën aktuale.
Ndërsa autostrada Kërçovë–Ohër, sipas paralajmërime të Qeverisë, pritet të lëshohet në përdorim në janar të vitit 2027”



