
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale njofton se Maqedonia ka siguruar një ftesë për t’iu bashkuar Korridorit Vertikal të Gazit – një nga nismat më të rëndësishme evropiane për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe forcimin e stabilitetit energjetik në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Lindore.
Nga Ministria thonë se në kuadër të vizitës në Uashington, ministrja Bozhinovska zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të administratës amerikane, gjatë të cilave u theksua rëndësia e zhvillimit të ndërlidhjes energjetike rajonale dhe diversifikimit të furnizimit me gaz natyror. Këto aktivitete vazhduan edhe në Samitin për Energy Transition Summit në Athinë, ku ministrja zhvilloi takime dypalëshe me ministrat e energjetikës nga rajoni. Pas këtyre takimeve, u hap procesi për përfshirjen e Maqedonisë në zgjerimin e Korridorit Vertikal të Gazit drejt Ballkanit Perëndimor.
“Vendimi u konfirmua në takimin e operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit, i mbajtur në Athinë, ku u dakordua anëtarësimi i NOMAGAS-it në këtë kornizë rajonale të bashkëpunimit. Përveç vendeve që tashmë janë pjesë e kësaj nisme – Greqia, Bullgaria, Rumania, Moldavia, Ukraina, Sllovakia dhe Hungaria – në procesin e anëtarësimit janë edhe Maqedonia dhe Serbia”.
“Për Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, kjo paraqet një hap të rëndësishëm në realizimin e objektivit strategjik – që Maqedonia të bëhet pjesë aktive e rrjetit energjetik evropian, me furnizim të sigurt, të diversifikuar dhe konkurrues me gaz natyror”.
“Anëtarësimi në Korridorin Vertikal të Gazit nuk nënkupton ndërtimin e një gazsjellësi të vetëm të ri, por integrimin në një rrjet të koordinuar evropian të gazsjellësve kombëtarë, interkonektorëve dhe terminaleve, përmes të cilëve gazi natyror do të mund të transportohet në disa drejtime, nga jugu drejt veriut të Evropës”, thonë nga Ministria.
“Me anëtarësimin në Korridorin Vertikal të Gazit, rritet ndjeshëm edhe vlera strategjike e këtyre investimeve infrastrukturore. Në vend që të jenë vetëm projekte kombëtare, interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë bëhen pjesë e një rrjeti më të gjerë evropian të transportit, gjë që do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve, fleksibilitet më të madh dhe një nivel më të lartë sigurie në furnizim. Me këtë, vendi bëhet gjithashtu një pikë e rëndësishme tranziti për furnizimin me gaz në rajon dhe në Evropë”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Në një kohë kur Evropa po transformon me ritme të shpejta arkitekturën e saj energjetike dhe po diversifikon rrugët e furnizimit, anëtarësimi në këtë nismë përbën një pozicionim në kohën e duhur të Maqedonisë në hartën e re energjetike evropiane. Një tregues shtesë për rëndësinë e Korridorit është edhe interesi i madh i kompanive energjetike për kapacitetet e transportit. Kjo konfirmon se Korridori Vertikal i Gazit tashmë po njihet si një nga rrugët kryesore të ardhshme për transportin e gazit natyror në rajon.
“Anëtarësimi formal në këtë nismë pritet të bëhet në shtator në Selanik, kur edhe zyrtarisht do të nënshkruhet deklarata për aderimin në kuadrin e bashkëpunimit të Korridorit Vertikal të Gazit. Me këtë hap, Maqedonia jo vetëm që e forcon sigurinë e saj energjetike, por pozicionohet edhe si pjesë e rëndësishme e infrastrukturës së re rajonale, e cila do të kontribuojë për një furnizim më të sigurt, më konkurrues dhe më rezistent me gaz natyror për të gjithë rajonin”, thonë nga Ministria.



