GostivarLajme

Zjarrfikësit e Gostivarit nisin vitin me aktivitet humanitar për dhurimin e gjakut

Kryqi i Kuq së bashku me Institutin për Transfuziologji në Gostivar organizoi aksion për dhurimin e gjakut, duke shënuar aktivitetin e parë për këtë vit. Ky aksion humanitar nisi me Njësinë e Zjarrfikësve të Gostivarit, të cilët edhe kësaj radhe treguan solidaritet dhe përgjegjësi qytetare.

Sekretarja e Kryqit të Kuq në Gostivar, Merita Alili, deklaroi se këto aktivitete zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe se zjarrfikësit janë gjithmonë pjesë aktive e aksioneve për dhurimin e gjakut, duke u renditur ndër grupet më të gatshme për të ndihmuar.

Përgjegjësi  në Njësinë Territoriale Kundër Zjarrëve në Gostivar, Armend Emra, theksoi se zjarrfikësit janë dhurues të rregullt të gjakut çdo tre muaj dhe se në aktivitetin e sotëm kanë dhuruar gjak gjithsej 15 zjarrfikës.

Vëmendje të veçantë mori zjarrfikësi Bujamin Memedi, i cili sot ka dhuruar gjak për 13-të herë. Ai u bëri apel qytetarëve që të dhurojnë gjak, duke theksuar se ky akt human shpëton jetë.

Ky aktivitet, i organizuar nga Kryqi i Kuq në Gostivar, dëshmoi edhe një herë rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit në shoqëri. Përmes bashkëpunimit me Njësinë e Zjarrfikësve, u theksua se dhurimi i rregullt i gjakut është jetik për shpëtimin e jetëve, ndërsa zjarrfikësit e Gostivarit vazhdojnë të mbeten shembull i përkushtimit dhe përgjegjësisë qytetare.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk