
Gostivari, dikur një nga qendrat industriale më të zhvilluara të Jugosllavisë socialiste, sot përballet me një realitet krejt tjetër – një ekonomi të brishtë, ku industria pothuajse ka humbur gjurmët e saj.
Nga lavdia e dikurshme e fabrikave, ka mbetur vetëm kujtimi i një epoke kur puna, mirëqenia dhe siguria sociale ishin pjesë e përditshmërisë.
Ajo që dikur ishte model i organizimit industrial dhe social, sot është zëvendësuar nga një ekonomi e fragmentuar shërbimesh, me pak siguri dhe me perspektivë të kufizuar afatgjatë.
Në vitet ’80, qyteti lulëzonte falë gjigantëve industrialë si “Silika” – fabrika e materialeve zjarrduruese që shfrytëzonte pasuritë minerale të zonës. Ajo punësonte rreth 1 900 punëtorë dhe ishte pjesë e një mozaiku prej disa ndërmarrjesh të tjera industriale (p.sh “Goteksi” rreth 1300 punëtorë, “Mermeri” rreth 700 punëtorë, e shumë e shumë të tjera), që në total siguronin punësim për mbi 5 000 persona në komunë.
Gostivari ishte shembull i një ekonomie funksionale dhe të integruar: punëtorët gëzonin paga të qëndrueshme, strehim, kujdes shëndetësor brenda fabrikave, madje edhe kredi të favorshme për familjet e tyre — një siguri ekonomike dhe sociale që sot duket si ëndërr, një realitet ku qyteti jetonte në harmoni me industrinë.
Në atë kohë, askush nuk do ta kishte imagjinuar se, pas disa dekadash, fokusi i politikave lokale do të zhvendosej nga planifikimi industrial, punësimi masiv dhe zhvillimi prodhues, drejt menaxhimit të mbeturinave, problemeve me qentë endacakë dhe përhapjes së lojërave të fatit. Të mendosh se një qytet që ndërtonte fabrika dhe investonte në prodhim do të detyrohej një ditë të merrej kryesisht me deponitë, rrugët e mbushura me qen pa strehë dhe sallat e kazinove, tregon thellësinë e transformimit ekonomik dhe social që ka përjetuar Gostivari.
Pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe shpërbërjes së sistemit socialist, gjithçka ndryshoi me shpejtësi. Privatizimi kaotik, menaxhimi i dobët dhe politizimi i proceseve çuan në falimentimin ose copëtimin e shumë ndërmarrjeve.
“Silika” kaloi në pronësi të kapitalit të huaj dhe pjesërisht u likuidua. Nga mijëra të punësuar, mbetën veç dhjetëra. Me rënien e industrisë, Gostivari humbi shtyllën e tij ekonomike dhe hyri në një periudhë të gjatë pasigurie për breza të tërë.
Rënia e industrisë nuk u shoqërua me një strategji të qëndrueshme për zhvillim alternativ ekonomik në nivel lokal.
Në Gostivar, si në shumë komuna të tjera, boshllëkun e fabrikave e mbushën ndërmarrje të vogla shërbimesh – tregti, gastronomi, salla banketesh e lokale kazinosh, transport, biznese familjare – të cilat krijojnë pak vende pune, me paga më të ulëta dhe pa përfitime sociale strukturore.
Ndryshe nga epoka socialiste, këto biznese nuk ofrojnë banesa, kujdes shëndetësor të organizuar apo siguri afatgjatë; marrëdhënia punëdhënës–punëmarrës është e fragmentuar, shpesh e pasigurt dhe e varur nga ciklet afatshkurtra të tregut.
Kjo ka prodhuar një gjendje pasigurie për breza të tërë, duke shtyrë shumë të rinj drejt emigracionit, ndërsa ekonomia vendore mbijeton falë remitancave të diasporës.
Pas më shumë se 30 vjetësh tranzicion, qyteti përballet me pyetje që nuk mund të anashkalohen: Ku janë fabrikat e reja që mund të krahasohen me “Silikën”?
Sa vende pune të qëndrueshme janë krijuar realisht në sektorin prodhues? A ekziston një strategji për tërheqjen e investimeve industriale, apo po jetojmë thjesht nga tregtia dhe remitancat nga diaspora? Ky kontrast nuk është thjesht shprehje nostalgjie për të kaluarën – është një thirrje për reflektim dhe për domosdoshmërinë e një vizioni të ri zhvillimi.
Gostivari, me historinë dhe potencialin e tij, ka nevojë për strategji të qëndrueshme, investime serioze dhe një rikthim të besimit se industria dhe prodhimi mund të jenë përsëri shtylla të prosperitetit të qytetit. Vetëm kështu qyteti mund të rikthejë identitetin e tij industrial dhe shpresën për një të ardhme më të sigurt.
Shkruar nga :Lirim Begzati



