LajmeRajon

DASH: Dialogu Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve

Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.

Përgjigjja vjen në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë – një proces që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Kur dhe pse u pezullua Dialogu Strategjik me Kosovën?

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

Në atë kohë, Ambasada tha se vendimi është marrë për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk